schema:text
| - Postimi i rremë në emër të Rita Orës
Deklarata
Ju bekoj te gjitheve!! 360 personat e parë që thonë (Përshëndetje), po ju jap €5,000!!
Vlerësimi
Rrenë e kryptë
Mbishkrimin i bërë në emër të Rita Orës: “Ju bekoj te gjitheve!! 360 personat e parë që thonë (Përshëndetje), po ju jap €5,000!!”, është i rremë. Në videon që është publikuar me këtë mbishkrim, Rita Ora nuk flet për dhurimin e 5 mijë eurove. Kjo video është realizuar në vitin 2018, në të cilën Rita Ora flet për një paraqitje të saj në Hong Kong. Rita Ora, në profilin e saj të verifikuar në Facebook dhe Instagram, nuk ka bërë asnjë publikim për ndonjë lojë shpërblyese apo dhurim të parave.
Artikulli
Më 7 nëntor 2023, në faqen e Facebook “ȐᶅƬĄ ǪȐĄ ƑẢƝŚ” është shpërndarë një video e këngëtares së njohur, Rita Ora.
Video është transmetuar si drejtpërdrejtë, mirëpo mbishkrimi i kësaj video thotë se gjoja “360 personat e parë që thonë “Përshëndetje” do të fitojnë nga 5 mijë euro.
“Ju bekoj te gjitheve!! 360 personat e parë që thonë (Përshëndetje), po ju jap €5,000!! dhe jam i vërtetë, duke filluar që tani.”- thuhet në këtë përshkrim.
Tutje në komentin e kësaj videoje shkruan “Merrni shpërblimet tuaja tani përpara se të përfundojë transmetimi im i drejtpërdrejtë. Regjistrohu tani. Klikoni këtu”- duke ftuar që të klikohet një link.
Kur të klikohet linku hapet një faqe në të cilën kërkohen të dhëna personale, duke përfshirë numrin e kartës bankare.
Kjo video për rreth 3 orë ka qenë drejtëpërdrejtë në Facebook dhe ka marrë mbi 1 mijë komente dhe 350 herë është shpërndarë.
Krypometri përmes kërkimit në Instagram ka gjetur se videoja në fjalë është një lidhje direkte që ka pasur Rita Ora më 16 janar 2018, pra para pesë viteve.
Në këtë video Rita Ora tregon se gjatë asaj kohe ka qenë në Hong Kong dhe flet për një përformancë që ajo do të mbante në fillim të vitit 2018.
Gjatë videos ajo nuk përmend nëse do të ndajë nga 5 mijë euro për personat që thonë përshëndetje.
Përveç kësaj, Krypometri ka gjetur se kjo nuk është faqe zyrtare e Rita Orës. Këngëtarja me origjinë nga Peja ka një faqe të verifikuar në Facebook dhe Instagram.
|