Manipulimi i zërit në videon e Ganimete Musliut
Deklarata
Publikimi Hitet e viti 2023 në të cilin shihet deputetja Ganimete Musliu është i manipuluar.
Vlerësimi
Rrenë
Publikimi Hitet e viti 2023 në të cilin shihet deputetja Ganimete Musliu është i manipuluar. Krypometër ka verifikuar se kësaj videoje i është ndryshuar zëri, duke iu shtuar një audio nga seriali “Amkademiku”. Krypometri ka gjetur videon origjinale të Ganimete Musliut dhe videon e serialit. Deputetja Musliu po ashtu ka konfirmuar se kjo video është e manipuluar.
Artikulli
Më 26 dhjetor 2023 faqja në Facebook “Diaspora Shqiptare” (arkiva) ka publikuar një video në të cilën shihet deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu.
Video ka titullin “Hiti i vitit 2023” ndërsa shoqërohet me një audio të zërit e cila nuk i përket deputetes.
Krypometër ka kërkuar në youtube dhe ka gjetur se audioja e vendosur është nga një episod i serialit “Amkademiku” i realizuar nga grupi i humorit “Stupcat”.
Audioja që i është montuar videos origjinale është një dialog mes aktorëve në serial, me ç‘rast ndër të tjera thuhet “Pse s’pe çoni te hoxha me i fry?”.
Krypometri ka gjetur edhe videon origjinale në të cilën deputetja flet për çokollatat dhe kartolinat që Kryeministri Albin Kurti u ka shpërndarë deputetëve për festat e fundvitit dhe refuzimin që Musliu i ka bërë kësaj dhurate.
“Unë nuk mund të pranoj dhurata nga Albin Kurti, i cili rolin e kryeministrit e ka shndërru në babadimër”– thotë Musliu mes tjerash.
Për të verifikuar tutje, Krypometër me datë 26/12/2023 ka kontaktuar edhe deputeten Ganimete Musliu. Ajo në deklaratë për Krypometër ka konfirmuar se kjo video është e manipuluar.
“Ky material është i manipuluar ndërsa fenomeni i manipulimeve të tilla është shpeshtuar shumë, sidomos manipulimi me videot e mia”– ka thënë Musliu për Krypometri.