schema:text
| - LDK nuk e ka dërguar në Kushtetuese marrëveshjen me BERZH
Deklarata
LDK e dërgon në Kushtetuese marveshjen e Qeverisë Kurti 2 me BERZH për 400M EUR! Kjo marveshje ka qen e jona dhe Kurti e veq e ka nënshkru
Vlerësimi
Rrenë
Postimi me mbishkrimin “LDK e dërgon në Kushtetuese marveshjen e Qeverisë Kurti 2 me BERZH për 400M EUR! Kjo marveshje ka qen e jona dhe Kurti e veq e ka nënshkru” është i rremë. Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk e ka dërguar këtë marrëveshje në Kushtetuese. Edhe Gjykata Kushtetuese ka thënë se nuk ka pranuar marrëveshjet e nënshkruara me BERZH për trajtim nëse janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Artikulli
Më 26.02.2024, në faqen në Facebook “Fleta Press” (Arkivi) është publikuar një postim me mbishkrimin “LDK e dërgon në Kushtetuese marveshjen e Qeverisë Kurti 2 me BERZH për 400M EUR! Kjo marveshje ka qen e jona dhe Kurti e veq e ka nënshkru” (Arkivi).
Për të verifikuar këtë lajm, Krypometër ka kontaktuar me deputeten e LDK-së, Doarsa Kica- Xhelili, e cila ka thënë se LDK-ja nuk e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese këtë marrëveshje me BERZH.
“Ky postim është i rremë”- ka thënë për Krypometër Kica-Xhelili, nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Për të njëjtin postim, Krypometër ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Gjykatës Kushtetuese, Veton Dula, i cili ka thënë se nuk janë dorëzuar marrëveshjet e Qeverisë me BERZH në Kushtetuese.
“Deri sot nuk është pranuar ndonjë kërkesë e kësaj natyre”- ka thënë Dula.
Më 26.02.2024, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Qeverinë e Kosovës për të ndihmuar përmirësimin e infrastrukturës, tranzicionin e ekonomisë së gjelbër, integrimin rajonal dhe sektorin privat.
Sipas BERZH, vlera e këtyre iniciativave të mundshme, në përputhje me strategjinë e BERZH- it për Kosovën 2022-2027, vlerësohet të arrijë në 400 milionë euro.
Ky memorandum u nënshkrua nga presidentja e BERZH, Odile Renaud-Basso dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në margjinat e Samitit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor 2024.
Si pjesë e marrëveshjes, BERZH dhe Qeveria e Kosovës kanë identifikuar disa projekte prioritare në fushat me rëndësi kyçe, duke përfshirë infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, projektet e menaxhimit të ujërave të zeza dhe mbetjeve të ngurta, energjinë e rinovueshme dhe telekomunikacionit.
Për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare duhen votat e 80 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, siç përcaktohet në nenin 18-të të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Prandaj, Qeverisë Kurti i nevojiten edhe votat e partive opozitare për të ratifikuar marrëveshjet ndërkombëtare.
Qeveria Kurti ende nuk i ka siguruar votat për marrëveshjet ndërkombëtare me vlerë të investimeve mbi 300 milionë euro (min. 2:54:09).
Qeveria Kurti ka 64 deputetë, shumicën e deputetëve në Kuvendin e Kosovës për të miratuar ligjet që kalojnë me shumicë të thjeshtë. Lëvizja Vetëvendosje ka 56 deputetë duke shtuar këtu edhe votat e grupit multietnik.
|