schema:text
| - Pretendimi i rremë përmes videos së fabrikuar për rikthim të shikimit
Deklarata
Rikthe shikimin në 7 ditë
Vlerësimi
Rrenë e kryptë
Video në të cilën shihen gazetari dhe autori i emisionit ‘Opinion”, Blendi Fevziu si dhe neurokirurgut, Mentor Petrela e shpërndarë me përshkrimin “Rikthe shikimin në 7 ditë” është e fabrikuar. Autori i Eminisionit Opinion Blendi Fevziu ka thënë se video është e fabrikuar, pasi nuk është zëri i tij. Edhe neurokirurgu Mentor Petrela ka thënë se video është e fabrikuar përmes inteligjencës artificiale, pasi nuk e ka dhënë asnjëherë një deklarim të tillë.
Artikulli
Më 31.03.2024, faqja në Facebook, “Charming ept1”, (arkiva) ka publikuar një video mbi të cilën shkruan: “Rikthe shikimin në 7 ditë”.
Në këtë video është përdorur figura e gazetarit dhe autorit të emisionit ‘Opinion”, Blendi Fevziu si dhe neurokirurgut, Mentor Petrela.
Fevziu shihet duke prezantuar në emisionin “Opinion’, ndërsa pretendohet se është duke e prezantuar një teknikë për rikthimin e shikimit brenda 7 ditëve, si dhe duke konstatuar se ky ilaç është fshehur nga mjekët.
Ndërsa Petrela shihet në një intervistë, megjithatë pretendohet se është duke e rekomanduar një ilaç për rikthimin e shikimit.
Krypometri për ta verifikuar këtë video ka kontaktuar me gazetarin Blendi Fevziu si dhe me neurokirurgun, Petrela.
Fevziu e ka mohuar të ketë folur diçka të tillë.
“Jo nuk është zëri im, mashtrim komplet”- thuhet në përgjigjen e Fevziut për Krypometër.
Ndërsa neurokirurgu Mentor Petrela ka thënë se këto janë mashtrime.
“Nëpërmjet IA realizojnë video fake. I kam denoncuar por duket nuk është e mundur në këtë botë të rrëmujshme. Ju falënderoj që sqaroni publikun që të mos bien pre e mashtrimeve”- thuhet në përgjigjen e Petrelës të datës 05.04.2024.
Krypometri e ka pyetur edhe oftamologun Ardian Shabanin lidhur me pretendimet se shikimi rikthehet për 7 ditë.
“Kjo gjë është absurde, nuk është e mundur”- ka thënë Shabani për Krypometër, duke shtuar se është konstatim i rremë që mjekët i fshehin ilaçet që ndihmojnë në rikthim të shikimit.
|