schema:text
| - Përdorimi i emrave dhe fotografive të rreme për të promovuar një produkt për humbje të peshës
Deklarata
“Yndyra në bark dhe anët u zhduk falë këtij ilaçi shumë të lirë. Të gjithë miqtë e mi janë të tronditur nga rezultatet. Quhet…”
Vlerësimi
Me kos
Në artikullin me titull “Yndyra në bark dhe anët u zhduk falë këtij ilaçi shumë të lirë. Të gjithë miqtë e mi janë të tronditur nga rezultatet. Quhet…” janë përdorë emra dhe fotografi fiktive për të promovuar një supliment. Suplementi që promovohet në këtë artikull nuk lejohet të tregtohet në Kosovë, pasi nuk ka Autorizim të Marketingut të lëshuar nga Agjencia e Kosovës për produkte dhe pajisje medicinale. Përpos kësaj, nutricistja Vala Pupovci thotë se humbja e peshës duhet të bëhet bazuar në diete individuale që bëhen bazuar në rezultatet e analizave.
Artikulli
Më 12.07.2024 një profil në Instagram (arkiva) ka publikuar një artikull me titull “Yndyra në bark dhe anët u zhduk falë këtij ilaçi shumë të lirë. Të gjithë miqtë e mi janë të tronditur nga rezultatet. Quhet…”.
I njëjti artikull është publikuar edhe në faqen healthlife-kl.life (arkiva) me titull “Si arrita figurën time ideale pavarësisht problemeve me gjëndrën time tiroide dhe stilin e jetës së ulur. Rruga drejt peshës së dëshiruar”.
Artikulli citon Laureta Nikprelaj e cila thuhet se shkruan libra udhëtimesh dhe gatimesh, e cila tregon rrugëtimin e saj drejt ‘’peshës ideale’’.
Krypometër ka kontrolluar fotografitë me të cilat është ilustruar Laureta NIkprelaj, mirëpo bazuar në të dhënat e “Google Fact Check Tools”, disa prej këtyre fotografive janë publikuar në internet qysh në vitin 2017. Në një shkrim të publikuar në vitin 2017, këto fotografi ishin publikuar në një artikull në të cilën tregohet suksesi i një gruaje në heqjen e peshës.
Në këtë artikull janë publikuar fotografitë e disa grave që në duar mbajnë suplimentin “Shape Well”, por Krypometër ka gjetur se të njëjtat janë të manipuluara, pasi në fotografitë reale që janë gjetur përmes ‘Google Lens’ nuk e kanë një produkt të tillë në duar.
Artikulli rekomandon edhe një produkt të quajtur ‘Shape Well’, i cili pretendohet se ndihmon në humbjen e peshës.
Pas kërkimeve në faqen e Agjencisë së Kosovës për produkte dhe pajisje medicinale rezulton se produkti ‘Shape Well’ nuk është në listën e barërave me autorizim marketingu.
Neni 16 i Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale thotë se “produkti medicinal mund të plasohet në Republikën e Kosovës vetëm pas marrjes së Autorizimit për Marketing nga AKPPM”.
Krypometër ka pyetur nutricisten, Vala Pupovci nëse e njeh këtë produkt dhe nëse të njëjtin e rekomandon për dobësim.
“Nuk e kam parë më parë këtë produkt, mirëpo përgjithësisht nuk rekomandoj produkte dobësimi sepse nuk funksionojnë dhe ndonjëherë mund edhe të përmbajnë substanca të cilat mund të jenë të dëmshme për shëndetin”- ka thënë Pupovci për Krypometër.
Ajo ka ndarë edhe disa rekomandime për rënie në peshë.
“Zakonisht rekomandimet janë të kontrollohen porcionet ushqimore, të konsumohen më pak ushqime kalorike si pizza, hamburgera, patatina, cokollata etj, dhe te rritet niveli i aktivitetit fizik”- ka thënë tutje ajo.
|