schema:text
| - Pretendimi i rremë se Turqia renditet e dyta për nga numri i pjesëtarëve në KFOR
Deklarata
Turqia renditet e dyta midis 27 vendeve për sa i përket kontributit me personel
Vlerësimi
Rrenë
Konstatimi se “Turqia renditet e dyta midis 27 vendeve për sa i përket kontributit me personel” është i rremë. Italia është vendi i parë sa i përket kontributit me personel me 869 ushtarë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kontribuesi i dytë në KFOR me 593 ushtarë, kurse e treta me radhë është Turqia me 369 ushtarë. Pra, SHBA-ja ka 224 ushtarë më shumë se Turqia. Austria i ka 271 pjestarë, Greqia 260 dhe Polonia 245 pjestarë. Komandanti i ri i KFOR-it, gjeneralmajori turk Ozkan Ulutash “do të jetë përgjegjës para zinxhirit komandues të NATO-s dhe vetëm ndaj saj”.
Artikulli
Më 9 tetor 2023, faqja e Facebook-ut “Dardania” (arkiva) ka publikuar një përmbajtje me titull “Turqia prej nesër e merr komandën e KFOR-it në Kosovë”.
Artikulli pretendon se “Turqia renditet e dyta midis 27 vendeve për sa i përket kontributit me personel”.
Krypometër ka kontrolluar faktet e paraqitura në këtë informacion.
Të dhënat e siguruara prej KFOR-i tregojnë se Turqia nuk është vendi i dytë për nga numri i pjesëtarëve në KFOR.
Italia është vendi i parë sa i përket kontributit me personel me 869 ushtarë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kontribuesi i dytë në KFOR me 593 ushtarë, kurse e treta me radhë është Turqia me 369 ushtarë. Pra, SHBA-ja ka 224 ushtarë më shumë se Turqia. Austria i ka 271 pjestarë, Greqia 260 dhe Polonia 245 pjestarë.
Të njëjtat të dhëna sa i përket kontributi të shteteve në misionin e NATO-s KFOR janë të publikuara në faqen zyrtare të këtij misioni.
Më 10 tetor 2023, gjeneralmajori italian Angelo Michele Ristuccia ka dorëzuar postin e komandantit të KFOR-it tek gjeneralmajori turk Ozkan Ulutash, gjatë një ceremonie të mbajtur në selinë e misionit të KFOR-it të NATO-s në Prishtinë.
Sipas komunikatës së KFOR, Ulutash ka pranuar komandën e misionit për një mandat një vjeçar, si komandant i 28-të i KFOR-it.
Ulutash ka theksuar se sot mbi supet e tij është ngarkuar një barrë e madhe duke marrë parasysh situatën në të cilën ndodhet Kosova.
“Duke qenë i vetëdijshëm për përgjegjësinë e vendosur mbi supet e mia në periudhën e ndjeshme që po kalon Kosova, unë po marr komandën me vendosshmërinë për të bërë të gjitha përpjekjet dhe përvojën time për të siguruar që kjo njësi e shquar të shërbejë me sukses në të ardhmen, siç ka bërë në të kaluarën”- ka theksuar ai.
Zëdhënësi i KFOR-it, Andrea Gallieni shpjegon se komandanti, siç ka qenë gjithmonë në të kaluarën, do të vazhdojë të veprojë me paanshmëri absolute siç i është kërkuar misionit të KFOR-it në mandatin e marrë me Rezolutën 1244 të vitit 1999.
“Komandanti i KFOR-it do të jetë përgjegjës para zinxhirit komandues të NATO-s dhe vetëm ndaj saj, dhe se ai do të angazhohet për ruajtjen e lirisë së lëvizjes dhe një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”- ka konfirmuar Andrea Gallieni për Krypometër, më 18 tetor 2023.
|