schema:text
| - Fotografia e fabrikuar e gazetarit Berat Buzhala
Deklarata
U kap edhe nja në Veri të Mitrovicës
Vlerësimi
Rrenë
Fotografia në të cilën shihet fytyra e gazetarit Berat Buzhala është e manipuluar. I rremë është edhe përshkrimi i fotografisë “u kap edhe nja në Veri të Mitrovicës”. Fotografia për herë të parë është publikuar në vitin 2022, ndërsa tash është fabrikuar duke e vendosur fytyrën e gazetarit në të.
Artikulli
Më 20 qershor 2023, faqja e Facebook-ut “Diaspora Vetëvendosje” ka publikuar një fotografi me përshkrim “U kap edhe nja në Veri të Mitrovicës”, në të cilën shihet Berat Buzhala.
Në fotografi është i vendosur një mbishkrim “Ushtari i Wagnerit” që u kap i fshehur n’bunar”.
Fotografia e publikuar nuk është reale, por është fabrikuar. Personi në ilustrim nuk është Berat Buzhala.
Krypometri përmes aplikacionit TinEye ka gjetur fotografinë reale e cila ka filluar të qarkullojë që nga marsi i vitit 2022 në internet.
Buzhala nuk është ushtar i grupit Wagner, por është gazetar nga Kosova.
Alban Zeneli, profesor në degën e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës thotë se këto fotografi, shpesh herë ngatërrohen me satirë, por që nuk ka satirë breda tyre pasi sipas tij, bëhet fjalë për përdorim politik të satirës në këtë rast.
“Tek rasti i fotografive, ato janë dezinformata të cilat ngatërrohen shpesh edhe me satirë, por nuk ka satirë brenda tyre për vetë faktin që flasim për përdorim politik të satirës në këtë rast. Nga ato se çka kam parë, mendimi është që natyrisht janë fotografi të manipuluara me qëllim që të bëjnë polarizimin shoqëror politik ende më të thellë në vend. Përmes kësaj forme, partitë politike edhe ajo në pushtet kërkon me nda shoqërinë në mënyrë që me e unifiku grupin që e ka për vete”- është shprehur ai.
TinEye është një aplikacion që mundëson kërkimin e shpejtë të imazheve. TinEye është veçanërisht i dobishëm të ndihmojë që të kuptohet nëse fotografitë ose imazhet janë prerë, ndryshuar përmasat, shtrembëruar ose manipuluar.
|