schema:text
| - Në faqet japoneze publikohen konkurse të rreme në gjuhën shqipe
Deklarata
“Rekrutimi i stafit të paketimit të vezëve!”
Vlerësimi
Rrenë
Postimi me titullin “Rekrutimi i stafit të paketimit të vezëve!”- është i rremë. Ky konkurs në gjuhën shqipe është publikuar në një faqe në Facebook që ka emër të gjuhën japoneze. Në konkursin e publikuar mungojnë elementet bazë të një njoftimi për vende të lira të punës, si janë: emri i punëdhënësit, adresa e punëdhënësit dhe vendit të punës, kontaktet dhe mënyra e aplikimit. Shkamb Kërleshi nga portali ‘KosovaJob’ thotë se konkurset që kanë mungesë të informacioneve bazike për punëdhënësin dhe vendin e punës janë mashtruese.
Artikulli
Më 06.09.2024 faqja në Facebook që e ka emrin në gjuhën japoneze ‘クイックローン’ (Kredi të shpejta) ka publikuar (arkiva) një artikull në gjuhën shqipe me titull “Rekrutimi i stafit të paketimit të vezëve!”.
Artikulli është publikuar së bashku me një fotografi të një personi duke paketuar vezë ndërsa më poshtë shkruan “Ne kemi nevojë për paketues vezësh. Orari i punës: 10:00-5:00. Punoni 4 ditë në javë. Sigurim bazë + pension”.
E më poshtë janë shfaqur dy opsione, njëra është “Shikoni pagën” dhe tjetra thotë “shiko vendndodhjen”.
Kur klikon mbi këtë artikull, linku të dërgon tek ueb faqja ‘boxpackagingëork0.store’ (arkiva), në të cilën janë opsione për të përzgjedhur gjuhën. Kur klikon mbi opsionin në gjuhën shqipe “Kërkoj punë”, nuk shfaqet asgjë që ka të bëjë rreth konkursit për paketim të vezëve, pra nuk ka kurrfarë informacioni krahasuar me ato të faqes në Facebook “クイックローン”.
Megjithëkëtë çdoherë që klikon mbi artikullin në Facebook të dërgon në faqe të ndryshme dhe që ka opsione të ndryshme.
Në këtë postim në Facebook janë bërë 24 komente, e pjesa më e madhe e tyre kanë pyetur adresën apo ndonjë numër të telefonit.
Krypometri ka kërkuar po ashtu edhe në faqet e internetit në të cilat publikohen konkurse pune në Kosovë.
Në faqen KosovaJob nuk ka ndonjë konkurs të tillë për paketues.
Shkamb Kërleshi nga portali ‘KosovaJob’, ka renditur hapat që duhet ndjekur për të publikuar konkurs pune në këtë faqe.
“Për t`u publikuar një konkurs në faqen KosovaJob ndjekim disa hapa të verifikimit. Fillimisht e shikojmë nëse kanë ueb-faqe të kompanisë, si dhe nëse ka të dhëna që mund të verifikohen si emri i personit, numri i kontaktit dhe ueb-faqja. Në rast se nuk ka të dhëna të kontaktit, e cilësojmë si të dyshimtë”- ka sqaruar Kërleshi.
Tutje, ai ka thënë se nga punëdhënësit që kërkojnë të publikojnë njoftime për konkurse ju kërkohet edhe certifikata e biznesit me të dhënat e tjera të biznesit.
“Nëse as kjo pjesë, pra certifikata e bizneseve nuk është në rregull atëherë përfundimisht konkursi nuk publikohet në platformën tonë”- ka thënë Kërleshi për Krypometër.
Edhe në faqen OfertaPune, Krypometër nuk ka gjetur ndonjë konkurs pune për paketues.
Krypometër ka kontaktuar me Ardit Krasniqin nga “PortalPune”, i cili ka thënë se elementet bazike të një konkursi dhe të punëdhënësit janë: adresa dhe kontakti, lokacioni i vendit të punës që është shpallur konkursi, etj.
Ndërsa ky lajm është shpërndarë në gjuhë të ndryshme të botës nga po i njëjti profil.
Krasniqi ka thënë se për të shmangur konkurset e rreme e mashtruese, në PortalPune të gjithë punëdhënësve ju kërkohen të dhënat e biznesit, siç është numri unik i biznesit.
“Ne e kërkojmë atë numër identifikues (pra, numrin unik të biznesit) në mënyrë që me ditë kush po shpallë punë edhe ku është adresa e shpallësit dhe kush është pronari, në mënyrë që mos me manipulu me punëkërkuesit”- ka thënë ai.
|