| schema:text
| - Intervista e fabrikuar e gazetares nga Shqipëria përdoret për shitje të produkteve
Deklarata
“Kush ka dhimbje në nyje, gjunjë dhe ijë, le të lexojë këtë!”
Vlerësimi
Rrenë
Artikulli me titullin “Kush ka dhimbje në nyje, gjunjë dhe ijë, le të lexojë këtë!”- është i rremë. Në këtë artikull janë përdorur emra fiktivë, intervista të sajuara dhe fotografi që nuk e tregojnë realitetin. Në këtë artikull pretendohet se është cituar Sonila Musai. Gazetarja Musai ka thënë se intervista është e sajuar pasi ajo asnjëherë nuk e ka dhënë një intervistë të tillë dhe se asnjëherë nuk ka vuajtuar nga ato sëmundje si pretendohet në artikull. Në artikull, rrejshëm është paraqitur edhe një fotografi në të cilën shihet Solomia Vitvitska, gazetare dhe prezantuese në Televizionin ‘1+1’ në Ukrainë dhe Irena Karpa, shkrimtare dhe këngëtare. Ato kishin marrë pjesë në një eksperiment social të quajtur “Një ditë e jetës së një personi në karrocë” dhe fotografia ishte shkrepur gjatë realizimit të këtij eksperimenti.
Artikulli
Më 17.10.2024 faqja në Facebook ‘Mirko Manganike’ (arkiva) ka publikuar një artikull i cili pretendon se ka gjetur recetën për shërimin e nyjeve.
I njëjti artikull është publikuar nga e njëjta faqe Mirko Manganike (arkiva) edhe më 18.10.2024.
“Kush ka dhimbje në nyje, gjunjë dhe ijë, le të lexojë këtë!”- është titulli i këtij artikulli.
Lajmi i njëjtë është shpërndarë edhe në faqen e internetit ‘med-ge.site’ (arkiva), por aty ka titullin “Sonila Musai: SI PËRFUNDova në karrocë”.
“Si përfundoi Sonila Musai, prezantuesja 43-vjeçare në një karrocë me rrota për shkak të artritit, i cili i shkatërroi kyçet – zbuloni se çfarë e ndihmoi të shërohej shpejt?”- shkruan në këtë artikull.
Krypometri përmes kërkimit në internet ka verifikuar fotografinë e dy grave në karrocë, e cila është publikuar në këtë artikull.
Krypometër ka gjetur se gratë që janë në karrocë janë Solomia Vitvitska dhe Irena Karpa.
Solomia Vitvitska është gazetare dhe prezantuese në Televizionin ‘1+1’, në Ukrainë ndërsa Irena Karpa është shkrimtare, këngëtare dhe gazetare po ashtu nga Ukraina, të cilat kishin marrë pjesë në një eksperiment social të quajtur “Një ditë e jetës së një personi në karrocë”. Fotografia është shkrepur gjatë realizimit të këtij eksperimenti social.
Ndërsa Sonila Musai, emri i të cilës është përdorur në këtë artikull, është gazetare dhe prezantuese në televizionin Ora News në Shqipëri.
Krypometër ka kontaktuar me gazetaren Musai, e cila ka thënë se pos që nuk është ajo në fotografi, është shprehur e shqetësuar lidhur me keqpërdorimin e emrit të saj.
“Dua të shpreh shqetësimin tim në lidhje me një situatë të papranueshme që ka ndodhur kohët e fundit. Me anë të disa mesazheve nga miqtë u njoha se disa individë kanë keqpërdorur emrin tim për të promovuar një produkt, duke krijuar një imazh të gabuar që lidhet me mua. Kjo është një shkelje serioze e identitetit dhe e reputacionit tim. Keqpërdorimi i emrit tim pa lejen time për të përfituar financiarisht është një veprim i papërgjegjshëm që kërkon të vihet në dukje”- ka thënë Musai për Krypometër.
Ajo ka thënë se asnjëherë nuk ka pasur probleme shëndetësore si pretendohet në këtë artikull.
“Dua të theksoj se unë nuk kam asnjë lidhje me këtë reklamë dhe nuk e mbështes aspak produktin e promovuar. Jam mirënjohëse ndaj të gjithëve që kanë shprehur shqetësim për mua dhe ju bëj me dije se unë jam mirë dhe gëzoj shëndet të plotë”- ka thënë gazetarja Musai.
Krypometri ka kërkuar edhe tek lista e barnave që kanë autorizim marketingu në Kosovë nëse i njëjti është i lejuar për t`u shitur dhe tregtuar në Kosovë.
Pas kërkimeve në faqen e Agjencisë për Produkte dhe Pajisje Medicinale në Kosovë rezulton se produkti “Flexiwell” nuk është në listën e produkteve medicinale me autorizim marketingu.
Neni 16 i Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale thot se “produkti medicinal mund të plasohet në Republikën e Kosovës vetëm pas marrjes së Autorizimit për Marketing nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale”.
Krypometër ka biseduar me reumatologun Besim Demolli, për të parë nëse një produkt i tillë mund të shërojë të gjitha sëmundjet që përmenden në shkrimin e publikuar nga faqja med-ge.site (arkiva).
Demolli ka thënë për Krypometër se osteoartriti, osteoporoza dhe frakturat osteoporotike janë sëmundje kronike të pashërueshme.
“Trajtimi për këto sëmundje fokusohet në menaxhimin e simptomave dhe përmirësimin e cilësisë së jetës”– tha Demolli për Krypometër.
Demolli ka thënë se këto sëmundje nuk mund të shërohen me suplemente. Ai ka thënë se personat që kanë sëmundje të tilla duhet të konsultohen me profesionistë.
“Suplementet, veçanërisht ato të reklamuara si kurative ose si zgjidhje mrekullibërëse, shpesh mund të jenë objekt i marketingut të tepruar dhe mund të japin premtime të pasigurta. Nëse suplementet sugjerohen si pjesë e një plani të trajtimit, këto sugjerime duhet të jenë të mbështetura nga një profesionist shëndetësor dhe të bazohen në një vlerësim të plotë dhe të saktë të nevojave të pacientit.”- tha tutje reumatologu Demolli për Krypometër.
Faqja citon gjithashtu një person të quajtur Albert Lila, i cili prezantohet si “kirurg ortoped, terapist, prezantues televiziv, personazh publik, autor i librave për shëndetin e kyçeve”.
Krypometër ka kontrolluar listën e Odës së Mjekëve të Kosovës dhe aty nuk ka asnjë mjek me emrin Albert Lila.
Në bazë të Ligjit për Odat e profesionistëve shëndetësorë, neni 8 thot se anëtarësimi në Oda është i detyrueshëm për të gjithë doktorët e mjekësisë dhe profesionistët e tjerë shëndetësorë me kualifikim të mesëm dhe të lartë të përcaktuar në regjistrin zyrtar të ministrisë, të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre shëndetësore në Republikën e Kosovës.
Pra për të ushtruar profesionin e mjekut në Kosovë secili profesionist shëndetësor duhet të licencohet nga Oda e Mjekëve të Kosovës. Lista e të gjithë mjekëve të licencuar dhe që mund të ushtrojnë profesionin e tyre në Kosovë është e publikuar në ueb-faqen e Odës së Mjekëve të Kosovës.
Krypometri po ashtu ka kontrolluar edhe te lista e Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, nëse Lila është i licencuar për ta ushtruar profesionin e mjekut në këtë shtet.
Por, në regjistrin e këtij institucioni nuk është gjetur ndonjë doktor me këtë emër.
|