schema:text
| - Përshkrimi i rremë i videos për aferen “Subvencione”
Deklarata
Kapet banda më e madhe Kriminale e Lëvizjes Vetëvendosje , paratë e subvencioneve në xhepat e Lëvizjes Vetëvendosje! Ministria e Bujqësisë e udhëhequr nga Kryekrimineli Faton Luci
Vlerësimi
Rrenë
Pamjet në video janë të verteta, por përshkrimi i video është i rremë. “Kapet banda më e madhe Kriminale e Lëvizjes Vetëvendosje , paratë e subvencioneve në xhepat e Lëvizjes Vetëvendosje! Ministria e Bujqësisë e udhëhequr nga Kryekrimineli Faton Luci”. Të gjithë personat e arrestuar nuk kanë qenë pjesë e lëvizjes Vetëvendosje. Paratë e shfaqura në pamje janë konfiskuar në shtepinë e një punonjësi të ministrisë së Bujqësisë dhe jo të zyrtarëve të ndonjë partie. Ministri i Bujqësisë nuk e ka mbiemrin Luci, por Peci dhe i njëjti nuk është nën hetime nga Prokuroria për aferen me subvencione. Afera ka ndodhur në vitin 2020, në kohën kur ai nuk ishte ministër i Bujqësisë.
Artikulli
Në rrjetin social Facebook po qarkullon një video e realizuar në shkurt të vitit 2021 nga aksioni i policisë dhe prokurorisë në rastin e njohur për opinionin si “Afera me Subvencione”.
Aksioni i shkurtit të vitit 2021 i cili ishte filmuar dhe publikuar në emisionin “Kallxo Pernime” është marrë dhe shpërndarë me datë 1 korrik të këtij viti nga “Albanian Real News”, me një përmbajtje krejtësisht ndryshe nga ajo çka që kishte qenë në realitet.
Profili “Albanian Real News” në rrjetin social “facebook” e ka publikuar videon në të cilën shfaqeshin pamjet e parave të konfiskuara me aludimin se paratë e subvencioneve ranë në xhepat e Lëvizjes Vetëvendosje.
Video ka marrë jehonë në Facebook pasi është shpërndarë nga 1 mijë e 400 profile të ndryshme në këtë rrjet social.
Në të përshkruhet: “Kapet banda më e madhe Kriminale e Lëvizjes Vetëvendosje , paratë e subvencioneve në xhepat e Lëvizjes Vetëvendosje ! Ministria e Bujqësisë e udhëhequr nga Kryekrimineli Faton Luci”.
Pamjet të cilat janë shfaqur në këtë postim janë ato të vitit 2021 kur ishte zhvilluar aksioni i policisë së Kosovës dhe ishin arrestuar mbi 20 persona mbi dyshimet për korrupsion dhe keqpërdorim me subvencione.
Me datë 24 shkurt të vitit 2021 ishte bastisur për herë të parë Ministria e Bujqësisë lidhur me dyshimet për korrupsion në shpërndarjen e subvencioneve nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë.
Nën pranga kishin përfunduar 11 të dyshuar në mesin e të cilëve zyrtarë dhe qytetarë që dyshohej se kishin përfituar në mënyrë në kundërligjshme subvencionet.
Gjatë bastisjeve janë sekuestruar rreth 433.160 euro, 600 dollar, 200 franga, 275 lira turke, 15 telefona, 8 vetura, një kompjuter, pesë armë, një USB dhe një vulë.
Hetimet në lidhje me subvencionet nuk ishin ndalur. Pak muaj më vonë, ishin bastisur lokacione të tjera dhe numri I të arrestuarve për aferën me subvencionet kishte shkuar në 21 persona, qytetarë dhe zyrtarë.
Pas këtyre aksioneve, prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë për keqpërdorim detyre, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti dhe mashtrim me subvencione.
Aktakuza ishte ngritur në shkurt të vitit 2022 kundër 21 personave. Procesi gjyqësor është duke u zhvilluar përderisa disa nga të akuzuarit që kanë pranuar fajësinë janë dënuar.
Ndonëse akuza ndaj 21 personave ishte paraqitur, hetimet ndaj personave të tjerë po vazhdonin.
Së fundmi në qershor të vitit 2022 në lidhje me dyshimet për korrupsion me subvencione nën pranga përfunduan edhe 12 persona.
Në mesin e të arrestuarve ishte edhe një asamblist nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje i cili dyshohet se e kishte ndihmuar në mënyrë të kundërligjshme një të dyshuar që të përfitonte subvencione në vlerë prej 67 mijë euro.
Dosja e Prokurorisë për subvencionet
Në 130 faqe aktakuza, prova, fotografi, përgjime dhe dokumente të tjera, Prokuroria Speciale konsideron se ka zbuluar njërën nga aferat më të mëdha korruptive në vend.
Akuza për dhënie ryshfeti, marrje ryshfeti, keqpërdorim, falsifikim të dokumenteve dhe mashtrim me subvencione janë pjesë e kësaj dosje, ku dëmi i shkaktuar pretendohet të jetë mbi gjysmë milion euro.
Në pjesën më të madhe të kësaj aktakuze përmenden emrat e dy vëllezërve Statovci, njërit prej të cilëve i ishin sekuestruar mbi 400 mijë euro para të gatshme.
KALLXO.com ka siguruar aktakuzën e Prokurorisë Speciale, e cila është ngritur nga prokurori Rafet Halimi në të cilin përshkruhet se mbi gjysmë milion euro subvencione ishin dhënë për mbjelljen e bimëve mjekësore e cila në realitet nuk kishte ekzistuar.
Sipas këtij organi, skema e korrupsionit ishte ndërtuar në atë formë që aplikuesit që hynin në marrëveshje me zyrtarët e AZhB-së, udhëzoheshin që të aplikonin për mbjelljen e bimëve mjekësore aromatike nga ku më pas vlera e subvencionit të fituar ndahej në mes tyre në përqindje të ndryshme të cilat shkonin deri në 70% për zyrtarët e AZhB-së.
Skema kriminale me subvencionet e bujqësisë e përshkruar në aktakuzën e Prokurorisë Speciale
|