| schema:text
| - Rrena për vdekjen e Mbretit Charles
Deklarata
Me 24.08.2024 zyrtarisht do të njoftohet opinioni për vdekjen e Mbretit Charles (edhe pse ai moti ka ecë…)
Vlerësimi
Rrenë e kryptë
Postimi “Me 24.08.2024 zyrtarisht do të njoftohet opinioni për vdekjen e Mbretit Charles (edhe pse ai moti ka ecë…)”- është i rremë. Sllamniku që e ka publikuar këtë informacion nuk ka ofruar asnjë fakt për të mbështetur pretendimin e tij. Më datën 24.08.2024 nuk është publikuar asnjë njoftim nga Pallatit Mbretëror apo mediat angleze se Mbreti Charles III ka vdekur. Mbreti Charles III ka mbajtur aktivitete më datën 20.08.2024.
Artikulli
Më 22.08.2024, faqja në Facebook “Arianit Sllamniku” (arkiva) e ka publikuar një postim në të cilin thuhet se “Me 24.08.2024 zyrtarisht do të njoftohet opinioni për vdekjen e Mbretit Charles (edhe pse ai moti ka ecë…)”.
I njëjti nuk ka publikuar asnjë fakt për të mbështetur këtë konstatim. Krypometër ka kontrolluar postimet e Sllamnikut deri më datën 25.08.2024, mirëpo ai më nuk e ka përmendur Mbretin e Mbretërisë së Bashkuar, Charles III.
Lidhur me këtë postim Krypometër e ka kontrolluar faqen zyrtare të Pallatit Mbretërorë të Mbretërisë së Bashkuar dhe aty nuk është dhënë ndonjë informatë lidhur me vdekjen e Mbretit Charles III.
Madje, postimet e fundit në këtë faqe tregojnë se Mbreti Charles ka vizituar disa vende gjatë kohës së fundit.
Më 31.07.2024, Mbreti Charles III e kishte vizituar Skocinë.
Kurse, më 20.08.2024, Mbreti e kishte vizituar qytetin e Southportit.
“Në shenjë mbështetjeje për të prekurit nga sulmi i 29 korrikut dhe trazirat që pasuan në qytet, Madhëria e Tij Mbreti ka vizituar Southport, ku ka takuar anëtarë të komunitetit lokal, familjet e prekura dhe shërbimet e urgjencës”- thuhet në njoftimin e publikuar në faqen e Pallatit Mbretëror.
Krypometër ka kërkuar informacione për Mbretin Charles III në mediat kryesore të Britanisë së Madhe.
Dailymail.co.uk nuk ka pasur ndonjë postim që thotë se Mbreti Charles ka vdekur, e njëjtë edhe BBC.com nuk ka ndonjë postim të tillë.
Krypometër ka dërguar pyetje edhe tek Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, të cilët kanë thënë se informacioni është i rremë.
Mbreti Charles III i Mbretërisë së Bashkuar është i diagnostikuar me kancer. Njoftimi zyrtar për sëmundjen e Mbretit nga Pallati Mbretëror ishte bërë më 05.02.2024.
|