schema:text
| - Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri - Foto: KALLXO.com
Rrena për Zgjidhjen e Ngërçit Politik në Gjilan
Deklarata
Lutfi Haziri më 30 mars: Gjatë fundjavës do të përfundojnë takimet me partitë dhe të martën do t’i prezantoj emërimet e reja.
Vlerësimi
Rrenë e kryptë
Kanë kaluar gati katër muaj që nga dita kur Lutfi Haziri ishte zgjedhur kryetar i Gjilanit për herën e dytë me radhë. Por, ai nuk ka arritur ende t’i emërojë drejtorët e rinj me të cilët do të bashkëqeverisë në mandatin e tij të dytë. Ai ka premtuar se më datën 3 prill do të publikojë ekipin e tij të drejtorëve, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Kryepometri këtë e cilëson si rrenë.
Artikulli
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lufti Haziri, të premten, më 30 mars, kishte premtuar që pas pesë ditësh, të martën e 3 prillit do të prezantonte ekipin e tij të ri qeverisës.
Por, edhe pse ka kaluar më shumë se një javë që nga 3 prilli, Haziri ende nuk ka dalë me emrat e drejtorëve të rinj që do të përbëjnë ekipin drejtues të Komunës së Gjilanit.
“Me ndryshimin e Statutit të Komunës si dokument që e organizon jetën institucionale, është krijuar mundësia që të finalizohen marrëveshjet politike me partitë, organizatat joqeveritare dhe grupet e interesit. Gjatë fundjavës do të përfundojnë takimet me partitë dhe të martën do t’i prezantoj emërimet e reja. Do të ketë emra edhe nga shoqëria civile”, kishte thënë Haziri me 30 mars para gazetarëve në Gjilan.
Lutfi Haziri në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale më 19 nëntor kishte fituar me 63.9 për qind të votave kundrejt kundërkandidatit të tij nga Vetëvendosje, Sami Kurteshi, i cili kishte marrë 36 për qind të votave.
Më 22 dhjetor, një muaj pasi doli fitues i zgjedhjeve lokale ai bëri betimin në Kuvendin Komunal si kryetar i Komunës së Gjilanit për mandatin e dytë me radhë.
Edhe pse kanë kaluar më shumë se tre muaj që kur Lutfi Haziri ka bërë betimin e tij si kryetar i Gjilanit ai ende nuk i ka emëruar drejtorët e rinj.
Në muajin janar, Haziri përmes një postimi në Facebook kishte njoftuar se e kishte caktuar ekipin që do të negocionte me partitë e tjera për qeverisje në Gjilan.
Por nga janari e deri në muajin prill këto negociata ende nuk kanë prodhuar zyrtarisht ndonjë rezultat konkret.
|